Gati zyrat e SPAK dhe BKH – Qeveria, fond 100 Mln lekë për ambientet ku do vendosen prokurorët e posaçëm
Ndërsa plotësimi i SPAK me anëtarë po afrohet, Këshilli i Ministrave ka menduar të zgjidhë edhe problemin e akomodimit të zyrave e ambienteve ku do të vendosen prokurorët e posaçëm antikorrupsion bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit. Përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Ministrave i ka kaluar Ministrisë së Brendshme një fond shtesë për ambientet e SPAK.
“Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre”, shkruhet në Vendimin e Këshilli të Ministrave.
Paralelisht po punohet edhe për ngritjen e infrastrukturës operacionale të SPAK. Scan zbuloi pak ditë më parë se nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është bërë kërkesë për blerjen e një njësie qendrore që do përdoret nga SPAK për përgjimet.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.