Gazi rus tani po tërhiqet nga Europa – Por për SHBA është një “fitore si e Pirros”
Gazi rus ka filluar të humbasë terren në Europë, duke u cenuar nga disponueshmëria në rritje e LNG (gazit natyror i lëngshëm). Janë pikërisht cisternat e metanit të ngarkuara me gaz të lëngshëm të shitura me çmime të volitshme, të cilat gjithnjë e më shpesh po zbarkojnë në brigjet e Kontinentit të Vjetër sesa në Azi dhe që shumë përpara fillimit të sezonit të dimrit tashmë kanë mbushur depot tona në vlerën e 94%. Në shumë raste, LNG vjen nga Shtetet e Bashkuara, por për amerikanët është një fitore ‘Pirro’ pasi konkurrenca e ashpër midis furnitorëve ka ngopur tregun, duke bërë që çmimet të bien në një minimum që prej një dekade, në nivele të tilla të ulëta që kanë kompromentuar fitimet e operatorëve të gazit shist argjilor.
Gazprom e ka mbrojtur veten shumë më mirë sesa pjesa tjetër nga pikëpamja financiare pasi bilanci i tremujorit të fundit tregoi fitime deri në 18% (rreth 4.3 miliardë euro). Por edhe gjigandi rus po vuan dhe disa ditë më parë iu desh të dorëzohej evidencës, duke pranuar se në vitin 2019, për herë të parë në pesë vjet, eksportet në Europë dhe Turqi do të binin. Parashikimi i ri është 192 miliardë metra kub të shitura jashtë vendit (duke përjashtuar vendet e mëparshme të Bashkimit Sovjetik), 4.9% më pak se rekordi historik i 201.9 Bcm në 2018. Gazprom, i cili në tetë muajt e parë të këtij viti ka parë një rënie të eksporteve me 4.5% (në 127.3 Bcm), këtë verë u penalizua edhe nga një mbyllje e gjatë mirëmbajtjeje e Nord Stream, tubacioni që kalon edhe në Gjermani, nga të cilat Moska po ndërton dyfishin.
Problemi kryesor, sidoqoftë, është konkurrenca e gazit të lëngshëm, i prodhuar në sasi në rritje në botë dhe i shtyrë në Europë nga dobësia e tregut aziatik, ku vlera e ngarkesave spot është zvogëluar në atë pikë sa të inkurajojë furnizuesit të ndryshojnë kursin. Duke theksuar gjithashtu se në qendrat kryesore europiane çmimi i gazit ka rënë në pikën e tij më të ulët që nga viti 2009, nën 10 eur/MWh. Analistët mendojnë se kjo shifër mund të bjerë përsëri, të paktën deri në prag të vjeshtës.
Shtetet e Bashkuara, të cilat hynë në treg vetëm në vitin 2016, janë tashmë prodhuesi i tretë, në garën për të arritur pozicionin më të lartë të podiumit në 2025 sipas parashikimeve (dhe ambicieve) të Qeverisë. LNG “e bërë në SH.B.A.” tashmë ka fituar një pjesë të tregut prej 10% globalisht sipas Refnitiv, me 22 milion ton të eksportuara midis janarit dhe gushtit, vëllime të barabarta me ato të të gjithë vitit 2018. Për herë të parë këtë vit Europa e ka tejkaluar Azinë si një destinacion përfundimtar. SHBA po sulmon tregun europian të gazit, një përparim që bazohet gjithashtu në motivime politike, në sfidë të hapur për Rusinë, dhe që është bërë edhe më agresive që nga lufta e tarifave që dëboi mallrat amerikane nga Kina. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.