Gent Cakaj shpjegon se pse u largua nga detyra e Ministrit të Jashtëm: Kapitulli im është i përfunduar
Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj njoftoi se ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, ndërsa nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshime në kabinetin qeveritar. Në një postim në rrjetet sociale, Cakaj evidentoi se ka dhënë dorëheqjen nga detyra duke renditur disa prej arritjeve të mandatit të tij ministror. Cakaj mori funksionet e ministrit pas mosdekretimit nga presidenti, pasi mandati i ministrit të Jashtëm zyrtarisht ushtrohej nga kryeministri Edi Rama.
Reagimi i plotë i Cakaj:
Të nderuar qytetarë,
Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.
Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.
Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.
Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.