Gjashtë dekada larg Europës – BB: Kaq i duhet Shqipërisë dhe rajonit për t`u barazuar në të ardhura
Do të duhet të kalojnë të paktën 6 dekada në mënyrë që niveli i të ardhurave në vendet e Ballkanit perëndimor të barazojë ato të Bashkimit Europian, thotë raporti më i fundit i Bankës Botërore për 6 vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë. Por, edhe ky parashikim aspak optimist e ka një kusht; që kjo të ndodhë pas 6 dekadash duhet që rajoni të ketë një normë rritje të ngjashme me atë të viteve 1995-2015, shton Banka Botërore.
Raporti i publikuar së fundmi mban titullin; Ballkani Perëndimor, ringjallja e motorëve të rritjes dhe prosperitetit. Ky raport ka për qëllim të evidentojë sektorët ku këto vende duhet të investojnë më shumë, sidomos në drejtim të reformave për të përshpejtuar procesin e zhvillimit ekonomik.
Por, Banka Botërore shton se, stabiliteti makroekonomik si dhe reformat mund të përshpejtojnë rritjen ekonomike në të paktën 5%, ç`ka do të bënte që 6 dekadat e pritjes për tu bërë europianë të reduktohen në vetëm dy të tilla. Për t`ia arritur qëllimit, Banka Botërore rekomandon një klimë më të mirë ndaj biznesit si dhe një integrim më të shpejtë në Bashkimin Europian dhe tregjet globale.
Qëllimi madhor thotë banka, është që rritja të nxitet nga investimet dhe jo nga konsumi, nga privati dhe jo nga publiku, nga kërkesa e jashtme dhe jo nga ajo e brendshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.