Gjermani, ministri i brendshëm propozon futjen e pushimeve myslimane
Ministri gjerman i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ka propozuar futjen e pushimeve kombëtare myslimane, duke zemëruar kështu bllokun konservator të partisë së Kancelares Angela Merkel.
Gjermania ka rreth 4 milionë besimtarë myslimanë, shumica e të cilëve janë me prejardhje nga Turqia. Edhe shumë prej mbi 1 milion emigrantëve që kanë mbërritur dy vitet e fundit nga Lindja e Mesme dhe vende të tjera, janë myslimanë.
Propozimi i ministrit erdhi gjatë një ndalese në fushatën që paraprin zgjedhjet në Saksoninë u Poshtme. De Maiziere, anëtar i CDU, u shpreh se ishte i hapur ndaj të pasurit pushime publike myslimane.
Ai theksoi se Dita e të gjithë Shenjtorëve është një festë zyrtare në rajonet katolike të Gjermanisë dhe shtoi: “Në vende ku ka shumë myslimanë, pse të mos mendojmë të fusim një festë zyrtare myslimane?”
Ministri, në një klip audio të postuar në një portal rajonal lajmesh, tha se pushimet në Gjermani janë përgjithësisht të krishtera dhe duhet të mbeten të tilla. Deklaratat e tij nxitën edhe anëtarët nga radhët e partisë të flasin për këtë çështje.
“Të gjithë në Gjermani mund të festojnë çdo festival fetar që duan, por nëse shteti duhet të mbrojë pushime jo të krishtera me rregullim ligjor është një çështje tjetër”, tha për Bild, Wolfgang Bosbach, anëtar i vjetër i CDU.
Për temën foli edhe Alexander Dobrindt, një figurë e shquar nga radhët e partisë simotër në Bavari, CSU, duke thënë se trashëgimia e krishterë gjermane nuk është e negociueshme.
“Ne nuk do ta konsiderojmë shtimin e pushimeve publike myslimane në Gjermani”, shtoi ai.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.