Gjermania, 100 milion euro për Covax – Do të dhurohen edhe 30 milionë doza vaksina për vendet e varfra
Gjermania ka angazhuar edhe 100 milion euro të tjera për iniciativën globale të vaksinave COVAX dhe do të dhurojë drejtpërdrejt deri në 30 milion doza të tepërta vaksinash për vendet e varfëra, deklaroi kancelarja Angela Merkel.
“Për shkak se COVAX nuk ka vaksina të mjaftueshme këtë vit, Gjermania do të dhurojë rreth 30 milion doza për vendet më të varfra dhe në zhvillim deri në fund të këtij viti, me kusht që të marrim vaksinat që kemi porositur. Edhe vendet e tjera europiane do të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që Bashkimi Europian të jetë në gjendje të dhurojë rreth 100 milion doza deri në fund të këtij viti. Gjithashtu, është inkurajuese që industria do të sigurojë rreth 1.3 miliardë doza për vendet më të varfra dhe ato me të ardhura të nivelit të mesëm”.
Merkel u bëri thirrje vendeve të tjera të BE-së të ndjekin shembullin e Gjermanisë në dhënien e vaksinave të mbetura, vendeve që u mungojnë. Deklaratat e Merkel u bënë gjatë një konference për mediat pas një samiti të G20 mbi COVAX, që synon të sigurojë që vendet më pak të zhvilluara mund të vaksinojnë popullsinë e tyre.
Sipas saj, Bashkimi Europian ka njoftuar se dëshiron të promovojë prodhimin e vaksinave në Afrikë me një miliard euro në mënyrë që Afrika të jetë në gjendje të prodhojë 60 përqind të vaksinave të saj të nevojshme deri në vitin 2040. Sot, është vetëm 1 përqind.
Merkel theksoi se roli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duhet të forcohet, duke shtuar se do të ketë gjithashtu një takim udhëheqësish për këtë çështje në ditët në vijim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.