Gjermania blen 1 milionë pako Paxlovid ndërsa Danimarka regjistron incidencën më të lartë 7-ditore në botë!
Ilaçi Paxlovid do duhet të përdoret në Gjermani që në janar pasi qeveria gjermane bleu 1 milionë pako me Paxlovid, bëri të ditur ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach në Berlin. Ky ilaç është “ekstremisht shumë premtues, sepse me dhënien e hershme e dobëson ndjeshëm COVID-19”, tha Lauterbach. Sipas ministrit gjerman, dhënia e këtij ilaçi në të ardhmen do të lehtësojë ndjeshëm repartet e trajtimit intensiv në spitale.
Pacientët, sipas të dhënave të prodhuesit, koncernit amerikan, Pfizer duhet të trajtohen pesë ditë me ilaçin: dy herë në ditë nga tre pilula. Të gjitha në një pako ilaçesh që i përgjigjet një cikli trajtimi. Paxlovid përmban substancën Nirmatrelvir që e bllokon proteinën e SARS-CoV-2. Me këtë ndalet shtimi i mëtejshëm i virusit në trup.
Ministri gjerman, Lauterbach bëri të ditur, se do të jepet një leje emergjence, me qëllim që Paxlovid të përdoret në Gjermani menjëherë pas furnizimit. Në BE ilaçi i koncernit Pfizer nuk është i lejuar ende. Autoriteti i BE për medikamentet, EMA është duke verifikuar lejimin e tij. Por ka bërë ndërkohë të ditur, se me Paxlovid mund të trajtohen pacientë të rritur, që nuk kanë nevojë për intubim dhe që nuk kanë rrezik për ecuri të rëndë të sëmundjes.
Varianti Omikron i koronavirusit po dominon zhvillimet e infeksioneve në Danimarkë që prej më shumë se dy javësh. Kjo nuk është befasuese, sepse rastet janë rritur ndjeshëm, sipas të dhënave të Autoritetit danez të Mbikëqyrjes së Epidemive. Sipas Autoritetit të BE-së për Epidemitë (ECDC) për periudhën mes 7 dhe 21 dhjetorit numri i infektimeve ka qenë 2100 raste në 100.000 banorë.
Kjo është shifra më e lartë në Europë dhe vlera, sipas të dhënave të Serum-Institut në Kopenhagë është 1621. Kjo është vlera më e lartë në botë aktualisht. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.