Gjermania largon rrezikun e recesionit- Eksportet, shpenzimet shtetërore dhe konsumi, mbështesin ekonominë!
Eksportet e forta, shpenzimet shtetërore dhe konsumatorët kanë ndihmuar ekonominë gjermane që të shmangë recesionin në tremujorin e tretë, sipas të dhënave të detajuara që konfirmuan rritjen ekonomike me 0.1%. Zyra Federale e Statistikave bëri të ditur se eksportet u rritën me 1% gjatë tremujorit dhe tregtia neto kontribuoi me 0.5% te treguesi përfundimtar i Produktit të Brendshëm Bruto.
Ekonomia më e madhe e Europës ka qenë në vështirësi prej ngadalësimit të manifakturës, sfidave në industrinë e makinave dhe pasigurisë në lidhje me daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Qeveria e kancelares Angela Merkel ka refuzuar thirrjet nga grupet industriale dhe ekonomistët që të shtojë shpenzimet. Ekonomia gjermane, që ndodhet në vitin e 10 radhazi të rritjes, po fillon të varet nga konsumi i fortë ndërkohë që eksportet janë ngadalësuar së fundmi. Konsumi privat u rrit me 0.4% dhe shpenzimet shtetërore me 0.8% dhe secili zë kontribuoi me 0.2% në treguesin final të Produktit të Brendshëm Bruto.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.