Gjermania në vrull – Konfirmohet rritja me 0.6%, nxitur nga eksportet, investimet e konsumi
Ekonomia gjermane ka rifituar vrull në tremujorin e parë, nxitur nga eksportet e forta, fuqizimi i sektorit të ndërtimit dhe shpenzimet më të mëdha private e publike. Zyra Federale e Statistikave raportoi se ekonomia më e madhe e Europës u rrit me 0.6% në tremujorin e parë, nga 0.4% që ishte në tre muajt e fundit të 2016-ës, duke konfirmuar të dhënat fillestare.
Të dhënat e fundit, përbëjnë lajme të mira për Kancelaren Angela Merkel ndërkohë që përgatitet për një mandat të katërt në zgjedhjet më 24 Shtator. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, eksportet u rritën me 1.3%, ndërsa importet me 0.4%.
Tregtia neto i shtoi 0.4% rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto për tremujorin. Investimet në ndërtim u rritën me 2.3%, që është norma më e fortë në 3 vite, duke kontribuar me 0.2%. Rritja e popullsisë dhe normat rekord të ulëta të interesit kanë sjellë një fuqizim të ndërtimit në ekonominë më të madhe të Europës. Investimet në makineri dhe pajisje u rritën me 1.2%, duke i shtuar 0.1% normës përfundimtare, ndërkohë që kompanitë nuk janë frenuar nga perspektiva politike.
Konsumatorët gjermanë po përfitojnë nga një normë rekord e punësimit, rritja e pagave reale dhe kostot e ulëta të huamarrjes, ndërkohë që shpenzimet e ekonomive familjare i shtuan 0.2% rritjes ekonomike. Shpenzimet shtetërore u rritën me 0.4%, duke kontribuar me 0.1%, ndërkohë që autoritetet gjermane po shpenzojnë miliarda euro në akomodimin dhe integrimin e refugjatëve. Një ndryshim në inventare, i hoqi 0.4% normës përfundimtare të rritjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.