“Gjermania nuk i trembet krizës” – Scholz: Kemi miliarda euro për t’i bërë ballë!
Gjermania mund t’i bëjë ballë një krize të mundshme ekonomike duke injektuar “shumë miliardë euro” në ekonomi, sipas Ministrit të Financave Olaf Scholz, i cili bëri të ditur gatishmërinë për një paketë të madhe të stimujve nëse vendi zhytet në recesion.
Scholz tha se Berlini do vazhdojë me planifikimin e buxhetit të qëndrueshëm dhe politikat e mos marrjes së borxhit. “Me themelet e forta financiare që kemi sot, ne jemi në një pozitë për t’i bërë ballë krizës ekonomike.
Kemi miliarda euro në disponueshmëri nëse nis kriza në Gjermani dhe Europë”, tha Scholz. Megjithatë, ai shtoi se deri më tani nuk ka patur ndonjë krizë ekonomike.
Produkti i Brendshëm Bruto në Gjermani u tkurr me 0.1% në tremujorin e dytë dhe disa të dhëna të zymta kanë shtuar shqetësimet se ekonomia mund të bie në recesion në tremujorin e tretë. Recesioni përkufizohet si dy tremujorë radhazi të tkurrjes ekonomike.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.