Gjermania: Paketa e sanksioneve ndaj Rusisë përfshin gazsjellësin Nord Stream 2!
Rusia do të përballet me “pasoja masive” në rast të agresionit kundër Ukrainës, me një paketë sanksionesh të përgatitura nga Perëndimi që përfshin gazsjellësin e diskutueshëm Nord Stream 2, tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock në Bundestag.
Kancelari gjerman Olaf Scholz kishte lënë të kuptohet përfshirja e Nord Stream 2 në një paketë të mundshme sanksionesh, duke thënë se Gjermania do të diskutonte ndalimin e tubacionit si pjesë e “kostove të rënda ekonomike” në një konferencë shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg më 18 janar.
Këtë javë, Scholz përsëri paralajmëroi Rusinë për “pasoja serioze” për çdo agresion ushtarak kundër Ukrainës. Ai bëri thirrje urgjente për de-përshkallëzimin e krizës të martën përpara një takimi dypalësh në Berlin me presidentin francez Emmanuel Macron. Megjithatë, shpresat mbeten se çështjet mund të zgjidhen në mënyrë diplomatike.
Scholz tha se gjithçka duhet “të bëhet tani për të siguruar që situata të zhvillohet ndryshe nga sa mendohet ndonjëherë”, por se nga Rusia priten hapa të qartë “që do të kontribuojnë në një de-përshkallëzimin e situatës”.
Gjermania në veçanti është përballur me thirrje për të ndihmuar më shumë Ukrainën dhe është fajësuar për një perceptim se po i jep përparësi lidhjeve të saj ekonomike me Rusinë mbi sigurinë e Ukrainës.
Mes këtij sfondi, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha se Gjermania do t’i dorëzojë Ukrainës 5,000 helmeta ushtarake pas një kërkese nga ambasada e vendit. Ajo tha se ishte “një sinjal shumë i qartë se ne qëndrojmë në krahun tuaj”.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.