Gjermania pas zgjedhjeve – Sfida e Merkel, formimi i shpejtë i qeverisë së vazhdimësisë
Angela Merkel përballet me një periudhë të negociatave komplekse për koalicion, ndërsa suksesi i partisë së djathtë populiste “Alternativa për Gjermaninë” në zgjedhjet e ditës së Djelë tronditi situatën politike në Gjermani dhe dobësoi kontrollin e kancelares.
Blloku konservator i Merkel, që mori një goditje nga vendimi i saj 2 vite më parë për të lejuar 1 milionë emigrantë drejt Gjermanisë, mori 33% të votave, 8.5% më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013 dhe nivelin më të ulët që prej vitit 1949.
Partia “Alternativa për Gjermaninë” mori 12.6% të votave dhe është hera e parë që një parti e ekstremit të djaththë hyn në parlamentin gjerman, në më shumë se gjysmë shekulli.
Megjithatë, partia e Merkel përbën ende fuqinë më të madhe në parlament dhe liderja më e madhe e Europës tha se konservatorët e saj do të ndërtojnë Qeverinë e re. Ajo tha se është e sigurt se do të arrihet një koalicion deri për Krishtlindje.
Investitorët u vunë në alarm nga ideja e humbjes së fuqisë së Merkel në krye të një koalicioni jo të qëndrueshëm me Demokratët e Lirë pro-biznesit dhe të Gjelbrit. Euro ra në hapje të sesionit tregtar të ditës së Hënë, ndërsa bursat gjermane patën gjithashtu një performancë të dobët.
Euro ra në 1.1903 nga 1.1990 që ishte përpara rezultatit. Shumë gjermanë u alarmuan nga ngritja e partisë së djathtë. Lideri i AfD, Alexander Gauland paralajmëroi për tonin armiqësor që pritet në parlament.
Liderët e industrisë i bënë thirrje kancelares që të mos vonojë në ndërtimin e Qeverisë së re. Investitorët shqetësohen gjithashtu se mos humbasin politikëbërësin ekonomik më të madh në Europë.
Wolfgang Schaeuble, Ministri gjerman i Financave, mund të humbasë influencë ndaj Gjermanisë dhe Eurozonës nëse hiqet nga pozicioni i tij gjatë bisedimeve të koalicionit.
Schaeuble u bë ikona e masave shtrënguese, duke patur një rol kritik në programet e shpëtimit në Eurozonë, kryesisht Greqinë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.