Gjermania tejkalon 100 mijë vdekje ndërsa Franca vendos të shpallë masa të reja!
Rastet me COVID-19 janë sërish në rritje në pjesë të ndryshme të Europës pasi moti i ftohtë ka ndikuar në përhapjen e virusit. Vendet në Kontinentin e Vjetër po përpiqen të frenojnë rritjen me mjete të ndryshme – nga një bllokim kombëtar në Austri, tek kufizimi i aksesit në shërbime të caktuara ose duke nxitur një rritje të normave të vaksinimit.
Ministrat e BE u takuan për të diskutuar përhapjen e vaksinave përforcuese dhe ndikimin e tyre në lejen dixhitale të vaksinimit të bllokut. Rreth 60% e njerëzve në Europën Perëndimore janë plotësisht të imunizuar kundër COVID-19, por vetëm rreth gjysma e tyre janë të vaksinuar në Europën Lindore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Europa dhe Azia Qendrore mund të përballen me 700,000 vdekje të tjera nga COVID-19 deri më 1 mars. Ajo tha se vdekjet për shkak të COVID-19 u rritën në gati 4,200 në ditë javën e kaluar – një dyfishim i niveleve të regjistruara në fund të shtatorit.
Shifrat zyrtare të publikuara të enjten tregojnë se Gjermania është vendi i fundit që ka kaluar momentin historik të zymtë të 100,000 vdekjeve nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Agjencia gjermane e kontrollit të sëmundjeve thotë se ka regjistruar 351 vdekje shtesë në lidhje me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 100,119.
Në Europë, Gjermania është vendi i pestë që kalon këtë pikë, pas Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës. Kjo vjen mes një debati të ashpër nëse Gjermania duhet të miratojë vaksinimin e detyrueshëm.
Kancelarja Angela Merkel njoftoi tashmë se qeveria do të vendosë kufizime më të forta për COVID-19 për qytetarët e pavaksinuar. Në shumicën e rajoneve, vetëm të vaksinuarit dhe ata që janë shëruar nga virusi do të mund të hyjnë në vende publike si restorante ose sallat e koncerteve.
Epidemia në Francë po “përkeqësohet”, ka thënë qeveria pasi vendi raportoi më shumë se 30,000 raste të reja ditore.
Ministri i Shëndetësisë Olivier Véran pritet të shpallë masa të reja të enjten (25 nëntor) në lidhje me dozat përforcuese, më shumë masa parandaluese si mbajtja e maskave dhe ndryshime të mundshme në lejen shëndetësore. Qeveria së fundmi tregoi se numri i klasave në shkolla që u detyruan të mbylleshin, mbi 6,000, ishte në nivelin më të lartë që nga fillimi i mandatit në shtator.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.