Gjermania ul borxhin – Me 15 mld euro në 2016, zbret pranë 68.3% të PBB
Rimëkëmbja më e fortë ekonomike por edhe grumbullimi më efikas i taksave ka nxitur një tkurrje të borxhit të përgjithshëm të Gjermanisë me 0.7% gjatë 2016, tregojnë të dhënat e fundit.
Kjo e mban Berlinin në shinat e duhura për të ulur borxhin nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto brenda vitit 2020.
Sipas zyrës federale të statistikave në vend, borxhi total, që përfshin edhe detyrimet e qeverisë federale, shteteve, qeverisë lokale dhe sigurimeve shoqërore, qëndroi në 2.006 trilionë euro në fund të vitit të kaluar.
Të gjithë sektorët kontribuuan në uljen e borxhit të përgjithshëm me 15.1 miliardë euro. Kjo do të thotë se, aktualisht, borxhi për frymë në Gjermani fiksohet pranë 24,407 euro.
Sipas ministrisë së financave në vend, norma e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka zbritur në 68.3%, nga 71.2% që ishte në 2015.
Sipas Bashkimit Europian, shtetet anëtare duhet ta mbajnë borxhin nën 60% të PBB.
Ky rregull shkelet prej kohësh nga vendet anëtare, e madje edhe nga vetë Gjermania, që është një ndër vendet më strikte me rregullat, e sidomos ato fiskale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.