Gjermania, vaksina dhuratë për Afrikën – Brenda vitit 70 milionë doza për kontinentin që ka vaksinuar vetëm 2% të popullsisë
Gjermania do të vendosë deri në 70 milionë doza të vaksinës COVID-19 në dispozicion për vendet afrikane këtë vit, tha kancelarja Angela Merkel, çka shënon një rritje nga 30 milionë doza që ishte zotuar më parë për të dhuruar.
“Gjermania do të vërë në dispozicion jo vetëm 30 milionë doza vaksinash, por 70 milionë”, tha ajo në një konferencë për mediat pas një samiti me udhëheqësit afrikanë mbi nismën e Kompaktit G20 me Afrikën.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se udhëheqësit afrikanë thanë në samit se “nuk është e drejtë që Afrika të ketë vaksinuar vetëm 2% të popullsisë së tyre prej 1.3 miliardë, ndërkohë që vendet më të zhvilluara kanë vaksinuar deri në 60% të popullsisë”.
“Të gjithë ne atë takim menduam se Afrikës duhet t’i jepet mundësia dhe e drejta për të prodhuar vaksina,” tha ai në konferencën e përbashkët për media me Merkel.
Kancelarja shprehu bindjen se mund të kishte një “transferim gradual të teknologjisë” për të mundësuar prodhimin e vaksinave COVID-19 në Afrikë.
I nisur në vitin 2017 nën presidencën gjermane të G20, Kompakti promovon investimet private në Afrikë, duke synuar zbutjen e varfërisë e cila, së bashku me paqëndrueshmërinë politike dhe dhunën, ka inkurajuar një numër të madh afrikanësh të emigrojnë drejt Europës.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.