Gjiknuri: 4.38 cent/km e përballueshme – Investimet nuk mbulohen dot nga taksa e qarkullimit
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët për të shpjeguar vendimmarrjen për tarifimin e Rrugës së Kombit.
Sipas Gjiknurit taksa e qarkullimit nuk e mbulon dot si mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve në të gjithë vendin, ndaj është e nevojshme vendosja e tarifave për mirëmbajtjen e këtij segmenti. Gjatë periudhës 2009-2017, buxheti për mirëmbajtjen e rrugës ka qenë në total 15 milionë euro, ndërkohë që buxheti i nevojshëm është 5 milionë euro në vit.
Marrëveshja e koncesionit nuk do të përfshijë vetëm mirëmbajtjen e rrugës, por edhe investime të tjera të nevojshme mbrojtëse dhe plotësuese. Një pjesë e këtyre investimeve kanë nisur, ndërsa të tjerat do të nisin së shpejti.
“ARRSHE ka planifikuar 880 milionë lekë për përfundimin e urave të mbetura, për aksin Kukës-Morinë. Kompania deri tani ka bërë 15 milionë euro investime mbrojtëse, që nga hyrja në fuqi e kontratës”, u shpreh Gjiknuri.
Sa i takon debatit për çmimin e tarifës, Gjiknuri është shprehur se qeveria Berisha kishte parashikuar një tarifë më të lartë, prej 8.5 eurosh, procedurat për të cilën dështuan për shkak se konsiderohej çmim shumë i lartë. Gjiknuri shpjegoi vlerën e tarifës edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit
“Çmimi 5 euro është i përballueshëm, i barabartë me 4.38 cent për kilometër. Ky çmim është më i ulët se pagesa në Bosnje dhe Kroaci dhe pak më i lartë se Serbia dhe Maqedonia”, tha ministri.
Tarifa do të shoqërohet me masa lehtësuese për udhëtuesit e shpeshtë dhe transfertë direkte për komunitetin lokal, në vlerë 120 mijë euro në vit për 3 vitet e para. Gjiknuri u shpreh se pret që këto masa lehtësuese të diskutohen dhe t’i komunikohen publikut para ringritjes së kabinave në Kalimash.
“Ne kemi filluar diskutimet me kompaninë koncesionare për të gjetur një zgjidhje në një periudhë shumë të afërt. Bëhet fjalë për përdoruesit qytetarë, jo bizneset. Mund të jetë Bashkia Kukës me disa automjete të veçanta, përjashtime ka natyrisht për makinat e policisë, ambulancat, por mund të ketë dhe një kategori që nuk është parashikuar më parë dhe riskun mund ta marrë dhe shteti këtu”, u shpreh Gjiknuri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.