Gjiknuri: Aeroport turistik në Sarandë – “Më shumë linja transporti me Korfuzin”
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka folur për perspektivën e ngritjes së një aeroporti turistik në qytetin e Sarandës. Deklarata është bërë gjatë një vizite në Sarandë dhe Ksamil, ku ministri ka diskutuar me operatorët turistikë edhe nevojën për një ndërlidhje më të mirë me Korfuzin.
“Pra më shumë linja transporti me Korfuzin, pse jo në të ardhmen e afërt edhe një aeroport në Sarandë. Shpresojmë që me partneritet të huaj, të kemi mundësinë të ngremë një aeroport turistik në Sarandë. Ne po punojmë, Saranda e ka këtë mundësi dhe do të ofrojë një ekonomi shkalle të tillë që ta justifikojë bërjen e një aeroporti turistik. Zgjatja e sezonit turistik do të mund të krijojë mundësinë për të gjetur edhe fuqi punëtore më të përgatitur e cila të ofrojë shërbimet në këto zona”, u shpreh Gjiknuri.
Në vizitën e tij, i shoqëruar nga deputeti i zonës, Alket Hyseni, ministri ka parë nga afër edhe disa biznese të reja hotelerie në këtë zonë.
“Patëm rastin të vizitojmë dhe shohim nga afër disa biznese hotelerie që janë hapur së fundi në Sarandë dhe Ksamil. Patëm mundësinë që të bisedojmë edhe me personat që operojnë këto biznese por edhe me operatorët që kanë sjellë turistë nga Polonia apo vende tjera që vizitojnë Sarandën. Qeveria shqiptare po investon në të gjitha zonat bregdetare për të mbështetur turizmin por njëkohësisht fluksi sa vjen dhe rritet në turizëm”, u shpreh ministri.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjiknuri shprehej se qeveria po kryente një studim për mundësinë e ndërtimit të një aeroporti turistik në Sarandë. Të gjendurit përballë një zone të zhvilluar turistike si Korfuzi mund ta justifikojë ngritjen e këtij aeroporti, ndërkohë që kërkesa për t’u zhvilluar me partneritet të huaj mund të konkretizojë projektin në mënyrë të ngjashme me atë për aeroportin e Vlorës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.