Gjiri i Tajlandës i bërë i famshëm nga filmi “The Beach” u mbyll për një kohë të pacaktuar
Gjiri i Tajlandës i bërë i famshëm nga filmi “The Beach” u mbyll për një kohë të pacaktuar. Plazhet e artë dhe ujërat kristal blu të Gjirit të Majës, të rrethuar nga shkëmbinjtë në ishullin e Ko Phi Phi Leh, është bërë një nga destinacionet turistike më të vizituara të Tajlandës që nga koha kur u shënjestrua nga regjisorët e filmit.
Plazhi i vogël ka pësuar dëme të mëdha mjedisore në vitet e fundit, me mbi 5.000 turistë dhe 200 anije në ditë. Autoritetet thanë se do të mbyllnin përkohësisht gjirin nga 1 qershori, por tani e kanë zgjatur mbylljen katër mujore të planifikuar për të paktën një vit, për shkak të shkallës së shkatërrimit të shkaktuar nga mijëra udhëtarë në ditë.
Falë ndotjes nga mbeturinat, anijet dhe kremrat e diellit, vlerësohet se më shumë se 80% e koraleve rreth Gjirit të Mayës janë shkatërruar, u shpreh Songtam Suksaëang, drejtor i departamentit të parqeve kombëtare.
Përkundër dëshmive të dëmtimit në rritje të Gjirit të Mayës, për vite me radhë, autoritetet thanë se nuk kishin hezituar ta mbyllnin atë, sepse lokacioni gjeneron rreth 400 milionë baht (9.5 milion funte) të ardhura në vit.
Megjithatë, një gazetë mbretërore e botuar më 1 tetor nga departamenti i parqeve kombëtare të Tajlandës, njoftoi se kufizimet mbi turizmin nuk do të hiqen derisa ekosistemi të rimëkëmbet në një situatë normale.
Vendet anembanë rajonit nga Filipinet në Indonezi po zgjohen me problemet që mund të shkaktohen nga turizmi i tepruar. Në muajin prill, presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, njoftoi një mbyllje gjashtë mujore për plazhin e Boracay, duke e quajtur destinacionin një “pellg”. Indonezia shpalli emergjencën vitin e kaluar për shkak të mbeturinave përgjatë shtrirjes së ishullit Bali.
Ada Xhagolli/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.