I gjithë rajoni në Bullgari – Konferencë me BB, transporti dhe “korridori 8” në fokus të bisedimeve
“Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga një kosto më e ulët e transportit dhe zgjerimi i tregtisë si rezultat i projektit prej 150 milion $ të Lehtësimit të tregtisë dhe transportit”, tha Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Bankës Botërore.
“Sipas vlerësimit tonë përfitimet pritet të jenë rreth 1 miliard $ në vit – një kontribut i rëndësishëm ky në kuadrin e përpjekjeve rajonale për të nxitur rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive për sa më shumë njerëz”, shtoi ajo.
Këto deklarata u bënë gjatë takimit të bankës botërore në Sofie të Bullgarisë në Konferencën për një integrim më të gjerë të vendeve të Ballkanit.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë merrte pjese edhe, Kryeministër i Shqipërisë, ai i Maqedonisë, si dhe kryeministrja e Serbisë sëbashku me atë bullgar Boiko Borisov.
I pranishëm ishte dhe presidenti i Kosovës, ai i Malit të Zi, si dhe disa ministra të rajonit. Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn mësohet se ka qenë gjithashtu i pranishëm.
Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e pikave të kalimit kufitar, efikasitetit të shërbimeve të logjistikës dhe futjen e teknologjisë inteligjente në transportin e mallrave dhe pasagjerëve duke përshpejtuar proceset në pikat doganore.
Takimi dhe përballja me bankës botërore ka synim gjetjen e mënyrave konkrete për të çuar përpara rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për përshpejtimin e aspiratave të tyre për futjen në BE.
Një rritje më e lartë ekonomike në rajon do të kërkonte integrim rajonal më të gjerë dhe përmirësim të klimës së biznesit për të nxitur investime në sektorin privat dhe rritjen e punësimit prej sektorit privat.
“Është e rëndësishme që liderët e Ballkanit Perëndimor të punojnë së bashku për të përshpejtuar bashkëpunimin ekonomik mes tyre në transport, tregti dhe korridoret ndërlidhëse me synim rritjen e biznesit,” tha Georgieva.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ka qenë edhe negocimi i financimit për korridorin 8, me iniciativë të vetë kryeministrit bullgar. Ky projekt do të lidhë tre shtetet me njëra tjetrën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë.
Projekti i Korridorit 8, është një projekt që zvarritet prej kohësh, dhe synon që të lidhë portin e Durrësit me atë të Varnës në Bullgari duke kaluar mes përmes Maqedonisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.