Gjobat ndaj biznesit, apelimi tashmë funksional në Ministrinë e Financave
Që nga data 7 shkurt në Ministrinë e Financave do të jetë efektive struktura e re e Drejtorisë së Apelimit Tatimor. Burime nga Ministria e Financave, bënë të ditur për TV SCAN, se tashmë është strukturuar kjo njësi dhe do të jetë efektive për të gjithë ato biznese që duan të apelojnë një vendim administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Krahas Drejtorit të Apelimit, emri i të cilit, pritet te jetë një emër i njohur nga sistemi tatimor, do të jetë funksional edhe komisioni për shqyrtimin e apelimeve tatimore.
Burimet nga financat theksojnë, se në ky komision do të përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët 3 të propozuar nga Ministria e Financave, 3 anëtarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe një nga Avokati i Shtetit.
Sipas vendimit të miratuar tashmë nga Qeveria, Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor, shqyrton dhe merr vendim për ankimin administrativ tatimor që ka për objekt ankimi vlerën mbi 20 milion lekë. Ankimet administrative tatimore deri në këtë vlerë janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrjeje i Drejtorisë së Apelimit Tatimor.
Sipas këtij vendimi, vlera objekt ankimi konsiderohet vlera e detyrimit tatimor dhe/ose ulja e tepricës kreditore apo humbjes tatimore, si dhe refuzimi i kërkesës për rimbursim. Gjithashtu në këtë vendim është parashikuar masa e shpërblimit për kryetarin/anëtarët e Komisionit është 20 mijë lekë në muaj. Ndërsa Sekretariati i këtij komisioni merr një shpërblim në masën 10 mijë lekë në muaj.
Violeta Shqalsi/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.