Gjobiten urbanët e kryeqytetit – Në 6 muaj, 89 shkelje dhe 24 masa administrative
Për 6-mujorin e parë të këtij viti Bashkia e Tiranës ka vendosur 24 gjoba për kompanitë e transportit urban. Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, 16 gjoba janë vendosur për shkeljen e frekuencës së autobusëve, ndërsa 8 të tjera për moszbatimin e shpërndarjes së biletës.
Në total janë konstatuar 89 shkelje, në të gjitha linjat e transportit urban, po numri më i madh i tyre u raportua gjatë muajit qershor, me 29 të tilla.
Tirana e Re dhe Uzina e Autotraktorëve rezultojnë linjat me problematike, duke qenë se përgjatë të gjithë 6-mujorit të parë të vitit kanë regjistruar shkelje gjatë ofrimit të shërbimit.
Problematike rezultojnë edhe linjat e Tufinës e Porcelanit, të cilat nuk kanë shënuar shkelje vetëm gjatë muajit mars.
Sipas AKM-së kontrollet nëpër linjat e transportit urban nuk kanë munguar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa në fokus ka qenë edhe përdorimi i ajrit të kondicionuar.
Shërbimi transportit publik në kryeqytet ka qenë jo rrallë herë në qendër të ankesave nga ana e qytetarëve, për shkak të tejmbushjes dhe frekuencave jo të shpeshta të autobusëve.
Me qëllim përmirësimin e shërbimit, pak kohë më parë Bashkia e Tiranës vendosi 10 kushte për kompanitë, që ofrojnë shërbimin urban në kryeqytet.
Respektimi i orarit, i frekuencës në stacione, i shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve apo mosqëndrimi në stacion i autobusëve ishin disa prej këtyre kushteve.
Po ashtu, mjetet e transportit publik duhet të jenë të pajisur me kondicionerë funksionalë, të cilët duhet të jenë gjithmonë në punë.
Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunimin e qytetarëve, për të denoncuar shkeljet që konstatojnë në terren.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.