Gjukanoviç humbet zgjedhjet – Opozita arrin shumicën, shqiptari Dritan Abazoviç ishte vendimtar
Pavarësisht se ka dalë parti e parë me një diferencë mjaft të ngushtë me rivalët, partia e Milo Gjukanoviç, me shumë gjasa do të dalë në opozitë, pas 30 vitesh “sundim”. Partia e Demokratëve Socialistë nuk ka arritur dot të marrë shumicën qeverisëse, gjë të cilën ka mundur ta arrijë opozita, me 3 parti në koalicion.
Qeveria e re, e drejtuar nga opozita pro serbe, në rast se arrihet, do të jetë mjaft e brishtë, pasi do të ketë fix 41 deputetë, aq sa duhen për të mbajtur ekzekutivin në këmbë. Mbështetësit e opozitës pro serbe kanë dalë të festojnë masivisht rrugëve të qyteteve më të mëdha të Malit të Zi. Partia në pushtet ndërkohë nuk e ka pranuar ende humbjen. Vendimtar për këto zgjedhje është edhe shqiptari Dritan Abazoviç, i cili drejton partinë e tij në koalicion me opozitën.
Partia e Gjukanoviç, ndërkohë, do të shënonte të parën herë që humbet një palë zgjedhje. Në një deklaratë të fundit, liderët e opozitës deklaruan se, qeveria e re do të jetë e përbërë nga ekspertë, të cilët do të drejtojnë vendin. Ata u angazhuan edhe që ta mbajnë vendin në rrugëtimin drejt integrimit europian.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.