Gjykata e Lartë ende pezull – Ruçi: Plotësoni urgjentisht vakancat. Llagami: S’ka kandidatë, u shkarkuan nga Vetting-u
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të shpallë urgjentisht vakancat për Gjykatën e Lartë. Gjatë raportimit në Kuvend të Kreut të KLGJ-së Naureda Llagami, Ruçi tha se mungesa e gjykatës së lartë, nga e cila varet edhe plotësimi i Kushtetues, po vë në pikëpyetje procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami tha se problem për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë është mungesa e kandidatëve, pas shkarkimeve të shumta nga Vetting-u. Sipas Llagamit, shumë pak gjyqtarë që kanë kaluar Vetting-un plotësojnë kushtet ligjore për të kandiduar për Gjykatën e Lartë.
Po gjatë seancës së të enjtes, në Kuvend ka paraqitur raportin vjetor edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kreu i këtij Komisioni Gent Ibrahimi tha se momenti më i rëndësishëm i punës së KLP është ngritja e Komisionit që do të ushtrojë Vetting të përhershëm për prokurorët gjatë gjithë karrierës së tyre, edhe nëse ata kanë kaluar sitën e procesit actual të rivlerësimit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.