Gjykata “shpëton” Temer – Presidenti i Brazilit shfajësohet, ekonomia merr “frymë”
Gjykata Supreme zgjedhore në Brazil hodhi poshtë akuzat për financim të paligjshëm gjatë fushatës së vitit 2014 kundër presidentit në detyrë Michel Temer.
Ky vendim shmang një fat të ngjashëm me atë të paraardhëses së tij Dilma Rousseff të shkarkuar nëpërmjet procedurës së “impeachment” rreth dy vite më parë. Temer mbetet kështu në detyrë me një rezultat tepër të ngushtë.
Gjykatësit votuan 4-3 në favor zhvlerësimit të akuzave për presidentin, në një seancë që u shoqërua me shumë tension dhe debate. Ky vendim vjen pas presionit të vazhdueshëm ndaj presidentit për të dhënë dorëheqjen, si pasojë e një skandali gjigand korrupsioni që ka përfshirë atë vetë.
Temer nuk është votuar, por erdhi në krye të shtetit si zëvendës i presidentes Dilma Rousseff, dhe supozohet që të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme. Shifrat ndërkohë i japin të drejtë presidentit. Ekonomia e vendit u rrit me 1% në tremujorin e parë të këtij viti, çka sinjalizon se vendi është duke dalë nga recesioni më i thellë në histori.
Përpara vendimit të gjykatës, ekspertët dhe investitorët i trembeshin faktit se një shkarkim i mundshëm i presidentit do të kishte efekt shkatërrues në ekonomi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.