Gjyqet me Agjencinë e Pronave – ATP publikon formularin përmes të cilit tërhiqen dosjet nga pronarët
Nga 23 shkurti i këtij viti, çdo pronari që ka pretendime me vlerësimet e bëra nga ATP i ka lindur e drejta t’i drejtohet gjykatave për të ankimuar vlerësimet për njohje, kthim apo kompensim nga ky institucion. Vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar në faqen e saj zyrtare edhe kërkesën tip që duhet të plotësojnë pronarët për të marrë dokumentacionin përkatës i cili mund të përdoret më pas për ankimimet në gjykata.
Më 23 shkurt, Agjencia e Trajtimit të Pronave bëri me dije se llogariti përfundimisht faturën financiare që duhet të paguajë shteti për procesin e kthim kompensimit për pronarët, gjë që u jep të drejtën këtyre të fundit të nisin zyrtarisht aplikimet, duke ju drejtuar edhe gjykatës në rastet kur janë të pakënaqur. Deri në këtë moment, pronarët pengoheshin me ligj t’i drejtoheshin gjykatave për vendimet e ATP-së, gjë që pritet të rrisë ndjeshëm edhe numrin e padive të tyre ndaj agjencisë.
Ndërkaq, dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje të numrit të pronarëve që i drejtohen gjykatave në pamundësi për të gjetur zgjidhje për pronat e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, në fillim të vitit të shkuar, 856 padi kundër saj rezultonin të depozituara në gjykatat administrative si dhe në apelet administrative. Këtyre u shtohen 86 ankime në Gjkatat e Apelit të Tiranës dhe në rrethe, bashkë me 86 vendime me shpallje mos-kompetence lëndore.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.