GM s’ia del dot në Europë – Peugeot pritet të blejë Opel dhe Vauxhall
Grupi francez PSA, prodhues i Peugeot dhe Citroën, po zhvillon bisedime për blerjen e Opel, biznesin europian të General Motors.
PSA Peugeot Citroën, që bashkëpunon aktualisht me General Motors në Europë mbi projekte të ndryshme, thotë se kontrolli i Opel është një ndër iniciativat e shumta strategjike që po konsiderohen.
Marrëveshja do të përfshijë edhe njësinë brianike, Vauxhall, që ka një staf prej 4500 punonjësish në fabrika dhe 23 mijë në rrjetet e shitjes me pakicë.
Marrja e kontrollit të Opel, do të bëjë që General Motors të dalë nga Europa dhe Britania, dhe do të transformonte grupin Peugeot Citroën në të dytin më të madh në Europë pas Volkswagen, me një pjesë prej 16% të tregut. Aktualisht, prodhuesi i dytë më i madh në Europë është Renault-Nissan.
Qeveria franceze zotëron një pronësi prej 14% në kompaninë PSA Peugeot Citroën. Kompania po eksploron disa strategji për të rritur përfitueshmërinë dhe efiçencën e operacioneve.
Megjithatë, shton se nuk ka siguri që marrëveshja do të arrihet. Homologët te General Motors thonë të njëjtën gjë.
Në Dhjetor të vitit 2013, General Motors shiti 7% aksione që zotëronte te kompania franceze për 311 milionë dollarë. Kjo bëri që Peugeot Citroën të kërkojë ndihmë shtetërore nga Qeveria franceze dhe kompania kineze Dongfeng.
Në 2009-ën, kur GM ishte pranë falimentit, kompania u përpoq të shiste njësinë Opel, por nuk e bëri për të mbajtur një prezencë të fortë në Europë.
Në 2016-ën, GM raportoi një humbje prej 257 milionë dollarë nga operacionet në Europë, gjë që solli dhe lajmërimin e blerjes nga Peugeot Citroën.
2016-a ishte viti i 16 rradhazi i humbjes së GM në Europë, duke sjellë një humbje të akumuluar në kontinent që prej vitit 2000 në më shumë se 15 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.