Goditja e krimeve mjedisore – Policia procedon penalisht 4 shtetas dhe bllokon 4 automjete
Policia e Shtetit bën me dije se po vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore në kuadër të së cilit është bllokuar nga Policia, 4 automjete që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme dhe janë proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve që po transportonin lëndën drusore.
Sipas njoftimit në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Rubik, Mirditë, Skuraj dhe Kurbin, 2 mjete tip furgon dhe 2 kamionçina që transportonin sasi të konsiderueshme lënde drusore.
Policia njofton se gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e këtyre mjeteve po transportonin rreth 25 m3 lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Kurbin kanë proceduar penalisht shtetasit: A. B., 56 vjeç, banues në Thumanë, F. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, K. C., 34 vjeç dhe P. T., 56 vjeç, banues në Lezhë.
Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit njofton se do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.