Goldman rrit projeksionet për naftën. Brent pritet në 80 USD për fuçi në T3. Strategjia e OPEC po funksionon
Banka amerikane Goldman Sachs, rriti projeksionet për naftën Brent për tremujorin e dytë dhe të tretë me 5 dollarë për fuçi, pasi OPEC dhe aleatët nuk ndryshuan politikat. Banka në Ëall Street pret që çmimi i naftës të arrijë në 75 dollarë për fuçi në tremujorin e dytë dhe 80 dollarë në të tretin. Prodhuesit e naftës argjilore në SHBA, kanë reaguar shpejt ndaj rritjes së çmimeve në vitet e fundit, duke fituar pjesë tregu ndërkohë që Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë ulur prodhimin. Organizata e vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet aleate, të quajtura OPEC+, ra dakord për të zgjatur uljen e prodhimit deri në Prill, duke thënë se rimëkëmbja e kërkesës nga pandemia e koronavirusit është ende e brishtë. “Strategjia e OPEC po funksionon për shkak të papritshmërive”-deklaroi Goldman. Sipas bankës, është e qartë që OPEC+ po ndjek një strategji të tkurrjes së tregut, me inventarët që pritet të bien në nivelet më të ulëta që prej 2014-ës në fund të këtij viti. Goldman Sachs uli projeksionet e prodhimit të OPEC dhe vendeve aleate me 0.9 milionë fuçi në ditë në 6 muajt e ardhshëm dhe theksoi se nafta argjilore, Irani dhe vendet jashtë organizatës, pritet të jenë të ngurtë ndaj çmimeve deri në gjysmën e dytë të këtij viti. Kjo do të lejojë OPEC që të ribalancojë më shpejtë tregun.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.