Google porosit 875 milionë dollarë ekrane të lakuar për Pixel
Google ka hyrë seriozisht në tregun e smartphone-ëve. Gjigandi i internetit kërkon ta kthejë Google Pixel në një konkurrent të denjë të linjës Galaxy S të Samsungut dhe iPhone-it.
Kompania është në bisedime me LG Display, për një marrëveshje 875 milionë dollarëshe për të furnizuar tabletët dhe smartphone-ët me ekrane të lakuar.
Blerja e madhe do të ishte edhe një investim strategjik, pasi do të inkurajonte LG të prodhonte më tepër panele OLED. Kjo do të ulte varësinë e Google ndaj furnitorëve të tjerë si Samsung Display, kompania simotër e rivalëve të Samsung që prodhon panele edhe për iPhone-ët.
Ndërkohë, në lojën e ekraneve të lakuar duket se do të futet edhe Apple, pasi përflitet të ketë porositur 70 milionë ekrane të përthyeshën OLED për iPhone-in e ardhshëm.
Google Pixel u prezantua në fund të tetorit të kaluar, por ndonëse është vlerësuar shumë nga ekspertët, nuk ka mund të duket tërheqës mjaftueshëm në sytë e konsumatorëve. Nëse iPhone do t’i bashkohej Samsung-ut në ekranet e lakuar, atëherë kjo do të shndërrohej në një detyrim për industrinë e aparateve celularë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.