Grabitjet e parave, Siguruesit: Kostot e risigurimit po rriten
Rastet e përsëritura të grabitjes së vlerave monetare në lëvizje po rrisin koston e sigurimit të parave nga shoqëritë e sigurimeve.
Në një intervistë për Tv Scan, Dritan Çelaj, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Atlantik”, thotë se ngjarja e fundit do të sjellë rritje të primit të risigurimit në tregun e huaj, duke e bërë shërbimin më të shtrenjtë për të siguruarit.
Ai shprehet se nevojiten masa urgjente për frenimin e fenomenit, që lidhen me standardet e ndjekura nga shoqëritë e transportit të parave.
Sipas tij, nevojitet respektim rigoroz i standardeve, që nga kriteret teknike të mjeteve, trajnimi i stafit apo masa të reja nga përvoja ndërkombëtare, si vetëshkatërrimi i parave në rast të tentativave për grabitje.
Sipas tij, mosrespektimi i kushteve të kontratës për kriteret e transportit të parave heq përgjegjësinë e siguruesit për dëmshpërblim. Rrjedhimisht, të gjitha mangësitë në këtë drejtim shkojnë në dëm të subjekteve që kanë në zotërim paratë e grabitura.
Në dy vitet e fundit, grabitjet e parave kanë marrë forma të reja dhe mjaft të rrezikshme. Nëse deri para pak vjetësh grabitja e parave gjatë transportit konsiderohej tabu, në vetëm dy vjet janë vjedhur rreth 10 milionë euro dhe grabitjet kanë arritur deri brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Megjithëse situata është bërë alarmante, sa për sigurinë, aq edhe për imazhin e vendit, rezultatet për parandalimin e ngjarjeve të tilla janë pranë zeros.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.