Grantet në bujqësi me probleme, KLSH: Janë gjetur shumë shkelje, skemat në pikëpyetje
Auditimi i granteve dhe programeve për mbështetje financiare të fermerëve nga Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë vënë në pikëpyetje këto skema.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar në vitin 2017 Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, duke arritur në përfundimin se skemat e financimit kanë qenë larg rezultateve të synuara.
Në raportin përfundimtar KLSH konkludon se menaxhimi i burimeve njerëzore ka shfaqur probleme në strukturimin organik, formimin bazë, rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin e performancës.
Po ashtu, kanë rezultuar me mangësi vetë procedurat e subvencionimit për skemat kombëtare të analizuara në dinamikë për kushtet dhe kriteret e përfitimit, si dhe zbatimit të tyre nga ana e AZHBR.
KLSH thekson se financimet për mbrojtjen e ullirit nuk janë efektive, pasi nuk janë zbatuar siç duhet procedurat e prokurimit, nuk është vepruar në përputhje me kuadrin rregullator, verifikimet dhe monitorimet për këtë skemë nga AZHBR kanë qenë me mangësi, duke rritur premisat për abuzime nga ana e institucionit.
Nga auditimi ka rezultuar se ka munguar sektori i monitorimit për një periudhë 4-vjeçare, e si pasojë edhe monitorimi i skemave kombëtare të vogla dhe investimeve, duke e ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve të dhëna për ato.
L.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.