Grekët dalin në shesh – Protesta pasi qeveria dha “ok” për masa të reja shtrënguese
Dhjetëra mijëra qytetarë grek janë mbledhur në qendër të Athinës duke kundërshtuar masat e reja shtrënguese.
Protestat vijnë vetëm pak orë pas marrëveshjes së ri në parim mes Athinës zyrtare dhe kreditorëve ndërkombëtare për masa të reja shtrënguese, që përfshijnë shkurtimin e pensioneve me 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto brenda vitit 2019 si dhe rritjen e taksave po me 1% brenda 2020-ës.
Vlerësohet se, qeveria do të shkurtojë shpenzimet fiskale me 3.6 miliardë euro pas implementimit të këtyre masave. Dakordësia e Athinës vjen pavarësisht se, Alexis Tsipras kishte deklaruar vazhdimisht në harkun e 3 muajve të fundit se, qeveria nuk do të pranonte asnjë masë shtrënguese shtesë, qoftë edhe një euro të vetme.
Por mesa duket, për të disatën herë, Tsipras duket se nuk i rezistoi dot presionit të huadhënësve. “Sot jemi këtu për të protestuar ndaj masave të reja shtrënguese që qeveria ka pranuar”, shprehet një protestues.
“Masat shtrënguese e bëjnë jetën tonë shumë më të vështirë. Nuk mund të jetojmë më kështu. Ata vazhdojnë të na shkurtojnë pensionet”, shton ai.
Pensionistët janë edhe ata që do të goditen më shumë nga masat e reja, pasi ata që kanë dalë në pension pas datës 31 maj të vitit 2016 do të shohin pensionin e tyre të shkurtohet me 15 deri në 20%.
Rreth 60 mijë pensionistë do të preken. Disave prej tyre do t`iu ulet pensioni me më shumë se 35%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.