Greqi, numri i viktimave arrin 83 – Qeveria, plan masash, subvencione dhe lehtësime tatimore
Numri i vdekjeve nga zjarri gjigant në zonën bregdetare në lindje të Atikës është rritur në 83, sipas shërbimit të zjarrfikësve në vend. Zëdhënësja e departamentit, Stavroula Malliri, tha se ekipet e shpëtimit po kërkojnë për njerëzit e humbur, por nuk kanë hyrë ende në shtëpitë e mbyllura në zonat e ndikuara. Thuajse 300 zjarrëfikës dhe vullnetarë janë bashkuar në kërkimin e dhjetrave që janë raportuar të humbur.
Ministria e Infrastrukturës lajmëroi se 1,218 ndërtesa nga 2,489, apo 48,9%, janë cilësuar nga inxhinierët si të pabanueshme. Aktualisht janë 228 zjarrfikës me 114 automjete, 57 këmbësorë, 10 depozita uji dhe 6 aeroplanë që po operojnë në zonë, ndërkohë që 2 aeroplanë të tjerë pritet të vijnë nga Spanja, nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian. Ndërkohë, Qeveria Greke vendosi të ndërmarrë një paketë të plotë të masave, për t’i ardhur në ndihmë personave të prekur. Ndër masat për mbështetje të menjëhershme për të dëmtuarit përfshihen; subvencione për familjet në 5000 euro dhe në 8000 për bizneset, asistencë papunësie plus një shume të menjëhershme prej 650 euro për per personat që do të mbeten pa punë si dhe lehtësime të tjera tatimore.
Ndër masat për dëmshpërblim dhe mbështetje të familjeve të viktimave, qeveria do të akordojë një shumë prej 10,000 euro për personin më të afër të viktimës nga zjarri si dhe një subvencion për fëmijët minorenë të të vdekurve në 1,000 euro deri sa të arrijnë në moshën madhore. Qeveria greke vendosi gjithashtu të hapë një llogari në Bankën e Greqisë, për të financuar çdo aktivitet ndihme ndaj të prekurve, për rindërtimin dhe dëmshpërblimin e banesave si dhe rehabilitimin e zonave të prekura e infrastrukturës së tyre. Kjo llogari do të manaxhohet nga një komision prej 3 anëtarësh: Kryetari i Parlamentit, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministri i Financave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.