Greqia bën progres me objektivat – Eurogrupi miraton disbursimin e 6.7 mld euro për vendin
Eurogrupi miratoi në fillim të kësaj jave disbursimin e këstit të katërt të programit të shpëtimit për Greqinë, në një total prej 6.7 miliardë euro, pas një takimi të ministrave të Financave të Eurozonës në Bruksel.
Eurogrupi deklaroi se financimi do të ndërmerret nëpërmjet 2 kësteve, ku i pari në 5.7 miliard euro do të disbursohet në Shkurt për të mbuluar nevojat e shërbimit të borxhit të Greqisë, shlyerjen e detyrimeve shtetërore dhe mbështetur gjendjen e likuiditetit të vendit, ndërsa i dyti në pranverë.
Në vlerësimin për programin e tretë të shpëtimit, Eurogrupi mirëpriti adaptimin e shumicës së aksioneve, duke theksuar se autoritetet greke kanë formuluar një buxhet për 2018-ën që është në përputhje me objektivin e suficitit primar prej 3.5% të PBB, siç është rënë dakord.
Raporti i Institucioneve Europiane mbi zbatimin e detyrave tregoi gjithashtu se autoritetet greke kanë kaluar objektivat fiskalë në 3 vitet e fundit, kanë optimizuar mbledhjen e taksave nëpërmjet Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike si dhe kanë përmirësuar efektivitetin e sistemit të mirëqenies sociale.
Sipas raportit, mjedisi i biznesit është përmirësuar prej aksioneve që synojnë hapjen e profesioneve të rregulluara, fuqizimin e sistemit të licencimit të investimeve, heqjen e rregulloreve që kufizojnë konkurrencën si dhe prej hapjes së tregjeve të energjisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.