Greqia merr këstin e fundit – ESM disburson 15 mld euro, 2 javë përpara mbylljes së ndihmave
Mekanizmi Europian i Stabilitetit deklaroi se ka disbursuar këstin e pestë dhe të fundit të ndihmës financiare për Greqinë, me shumën e 15 miliardë eurove.
“9.5 miliardë euro e kësaj shume do të përdoret për të përforcuar gjendjet financiare për vendin ndërsa 5.5 miliardë euro do të shkojnë për shërbimet e borxhit. Pas disbursimit, paraja e disponueshme për Greqinë do të arrijë në 24 miliardë euro, shumë që do të mbulojë rreth 22 muaj të nevojave financiare pas përfundimit të programit të shpëtimit në 20 Gusht”, deklaroi fondi i shpëtimit të Eurozonës.
Disbursimi dhe mbyllja me sukses e rishikimit të fundit të programit të shpëtimit, nënkupton se Greqia ka bërë progres të madh në 3 vitet e ndihmës.
Sipas drejtorit të ESM, Klaus Regling, reformat e fundit të përfunduara nga Greqia kanë sjellë përmirësime në politikat tatimore, luftën e evazionit fiskal, të ardhurat publike dhe rezolutën në kreditë me probleme.
Pas disbursimit të kësaj jave, ndihma financiare e ESM për Greqinë arrin në 61.9 miliardë euro, nga totali prej 86 miliardë që është program i tretë i shpëtimit.
Së bashku, Mekanizmi Europian i Stabilitetit dhe Faciliteti Europian mbi Stabilitetin Financiar, kanë disbursuar rreth 204 miliardë euro për Greqinë, duke u bërë kreditorët më të mëdhenj për vendin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.