Greqia miraton marrëveshjen e Prespës me 153 vota pro, e përshëndet politika
Parlamenti grek ratifikoi këtë të premte një marrëveshje historike që ndryshon emrin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), duke i dhënë fund mosmarrëveshjes së vjetër dhjetravjeçare dhe duke hapur rrugën për ish republikën jugosllave për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kryeministri Alexis Tsipras, i cili arriti marrëveshjen me homologun e tij të FYROM vitin e kaluar, siguroi shumicën parlamentare të nevojshme për të marrë miratimin e marrëveshjes me mbështetjen e ligjvënësve të pavarur dhe të opozitës.
“Sot po shkruajmë një faqe të re për Ballkanin. Urrejtja ndaj nacionalizmit dhe konfliktit po i hap rrugë miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit”, shkruan Tsipras në llogarinë e tij të mediave sociale.
Aleatët e Bashkimit Evropian të Greqisë e mirëpritën ratifikimin.
“Ata kishin imagjinatë, ata morën rrezikun, ata ishin të gatshëm të sakrifikonin interesat e tyre për një të mirë më të mirë. Misioni i pamundur u bë realitet”, përshëndeti votimin Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk.
“Urime miku im Aleksis Cipras, bashkë me popujt tonë shkruam historinë fitimtare. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, qofshin të përhershme paqja dhe progresi në Ballkan dhe Evropë,”-shkruan Kryeministri maqedonas Zoran Zaev në një postim në Facebook.
Edhe politika shqiptare ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes.
“Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike!”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.
“Sërish respekte dhe urime për Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev për marrëveshjen e tyre historike dhe dhënien fund të konfliktit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ishte e vështirë dhe do të prodhojë ende politikë të vjetër lokale por është realizuar shumë mirë miqtë e mi”, shkruan kryeministri Rama.
Edhe kreu i opozitës e ka vlerësuar marrëveshjen, si një hap të rëndësishëm për Maqedoninë.
“Përshëndes ratifikimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamenti helen që i hap rrugën anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka shkruan Lulzim Basha në twitter.
“Ky është një moment historik për Ballkanin”, shkruan ish ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.