Greqia pas krizës, Tsakalotos: Kontrollet e kapitalit do të hiqen së shpejti
Ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos, tha se Greqia planifikon të lehtësojë kontrollet e kapitalit së shpejti dhe se është drejt heqjes së të gjitha kufizimeve të vendosura 3 vite më parë.
“Ne do të lehtësojmë së shpejti kontrollet e kapitalit. Me këtë lëvizje, ne do të përfundojmë shtyllën e dytë të rregulloreve që lidhet me tërheqjen e parasë cash dhe hapjen e llogarive bankare dhe më pas do të hyjmë në fazën finale, që lidhet me lëvizjen e kapitalit jashtë vendit”, tha ministri i Financave.
Greqia vendosi kontrolle të kapitalit për të ndaluar “arratisjen” e parasë nga bankat në muajin Korrik 2015, gjatë kulmit të krizës së borxhit, ku përballej me falimentim dhe daljen nga Eurozona.
Në muajin Gusht, vendi përfundoi me sukses 3 paketat ndërkombëtare të shpëtimit, pas thuajse 9 vite që ka aplikuar masa shtrënguese.
Megjithatë, Greqia mban ende sasi të mëdha të borxhit dhe është nën monitorim fiskal nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.