Greqia pengon integrimin e Shqipërisë? – Tsipras, Merkelit: Nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian
Për herë të parë pas 4 vitesh, Angela Merkel ka vizituar Athinën, duke zhvilluar një takim zyrtar me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Por, ajo që bie në sy nga takimi dhe konferenca për shtyp, është fakti se, është folur edhe për Shqipërinë. Kreu i ekzekutivit grek, i bëri apel kancelares gjermane që Shqipëria të mos bëhet pjesë e bashkimit europian, pasi nuk e meriton një gjë të tilllë, për sa kohë që nuk e respekton minoritetin grek, raportojnë mediat greke.
Mediat greke raportojnë se pjesë e diskutimit mes dy homologëve ka qenë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian por edhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor. Në qendër të diskutimit kanë qenë edhe çështja të tjera të nxehta të momentit, si marrëveshja për emrin me Maqedoninë, e cila ende nuk ka marrë aprovimin nga Parlamenti grek, siguria në Ballkan, anëtarësimi i Maqedonisë në Nato, etj. Alexis Tsipras tashmë mban edhe postin e Ministrit të Jashtëm, pas shkarkimit të Nikos Kotzias.
Ndërkohë, marrëveshja me palën shqiptare, që përfshin edhe marrëveshjen për detin ka mbetur në “vend numëro”. Pakti është lënë pezull, dhe me ardhjen e Alexis Tsipras në krye të diplomacisë gjërat duket se do të komplikohen ndjeshëm në këtë drejtim. Fjala e Tsipras për Merkel për mos anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është sinjali i parë se me Greqinë gjërat nuk do të jenë aspak të lehta dhe se anëtarësimi në union tashmë ka zyrtarisht një pengesë; Athinën zyrtare.
Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj përpara afatit të paracaktuar nga Brukseli për çeljen e negociatave për anëtarësim me vendin tone, dhe vetëm pak kohë pas incidentit në Bularat. Por, nga ana tjetër, misioni i vështirë i diplomacisë shqiptare për të shuar armiqësinë me Greqinë vështirësohet edhe më shumë nga fakti se Ministria e jashtme duket se ka mbetur pa një titullar funksional, ose më saktë me një titullar të shkarkuar nga Kryeministri.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.