Greqia pezullon statistikat – Nuk do të publikojë më rritjen ekonomike paraprake
Instituti helen i statistikave, Elstat, ka pezulluar deri në një vendim tjetër publikimin e të dhënave të rritjes ekonomike të vendit, për shkak të përplasjeve mbi vlerësimet.
Kjo do të thotë se, të dhënat nuk do të publikohen më 14 gusht. Pra, të dhënat për rritjen ekonomike në Greqi, do të publikohen më 1 shtator, duke shmangur kështu publikimin e atyre paraprake.
Të dhënat e tremujorit, të njohura ndryshe edhe si të përkohshme janë shpeshherë subjekt rishikimesh drastike, gjë që ka gjeneruar edhe përplasjen brenda institucionit.
Cilësia e punës së këtij institucioni është nën monitorim të rreptë edhe nga Brukseli, që prej asaj që ndodhi në vitin 2010, pra fshehjen e shifrave zyrtare reale, gjë që më pas prodhoi edhe krizën e rëndë financiare, të cilën vendi po e vuan ende sot.
Zyrtarë brenda institucionit bëjnë me dije se, kjo lëvizje ishte e nevojshme, pasi të dhënat paraprake bëhen mbi bazën e një informacioni jo të plotë.
“Me shumë gjasa ne nuk do të publikojnë më të dhënat paraprake gjatë tremujorëve në vijim pas përplasjeve të fundit”, tha njëri prej tyre për Reuters.
Për të ilustruar këtë, mjafton të themi që në tremujorin e parë të vitit, ekonomia helene u rrit me 0.4%, paçka se në të dhënat paraprake, zyra e statistikave fliste për një normë në vetëm 0.1%. Edhe norma e vitit 2016 u rishikua me plot 0.4 pikë përqindje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.