Greqia, reforma të tjera – Parlamenti i miraton, i çon sinjal Eurogrupit
Parlamenti grek miratoi të Premten një tjetër paketë reformash të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, me shpresën se këta të fundit do të zhbllokojnë paratë për vendin si dhe do ti mundësojë lehtësimin e borxhit.
Ministrat e financave të Eurozonës takohen në Luksemburg më 15 Qershor për të diskutuar progresin e Greqisë me axhendën e reformave si dhe për të përcaktuar masat për lehtësimin e borxhit, që aktualisht qëndron në 180% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Është e qartë se Greqia i ka përmbushur premtimet dhe detyrimet e saj. Ka bërë më shumë se ç’duhet të bënte… dhe ka ardhur koja që partnerët dhe huadhënësit tanë të përmbushin detyrimet e tyre”-deklaroi ministri grek i punës përpara votimit në parlament.
Pas zërave të njëpasnjëshëm edhe brenda vetë Bashkimit Europian, votimi i së Premtes në parlamentin helen duket se nuk lë më vend për dyshime; më 15 qershor Eurozona do të zhbllokojë këstin prej 7 miliardë eurosh për Athinën si dhe do të diskutojë mundësitë e lehtësimit të borxhit.
Qeveria e Alexis Tsipras shpreson gjithashtu që vendi të përfshihet sa më shpejt në tregjet ndërkombëtare të borxhit. Reformat e miratuara të Premten përfshijnë atë në tregun e punës dhe atë të pensioneve.
Jashtë sallës së parlamentit nuk munguan as kësaj radhe protestuesit e shumtë, të cilët kundërshtojnë masat shtrënguese.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.