Greta Thunberg shpallet “Personazhi i Vitit” për aktivizmin e saj
Greta Thunberg, nxënëse e shkollës suedeze që frymëzoi një lëvizje globale për të luftuar ndryshimin e klimës, është emëruar nga revista Time si “Personazhi i Vitit” për 2019-ën.
16-vjeçarja është personi më i ri që zgjidhet nga revista në një traditë që ka filluar nga viti 1927.
Duke folur në një samit të KB për ndryshimin e klimës në Madrid para njoftimit, ajo u kërkoi liderëve botërorë që të ndalonin përdorimin e “PR krijuese” për të shmangur veprimet e vërteta.
Dekada tjetër do të përcaktojë të ardhmen e planetit, tha ajo.
Vitin e kaluar, e reja filloi një grevë mjedisore duke munguar në mësime çdo të Premte për të protestuar para ndërtesës së parlamentit Suedez. Ajo ndezi një lëvizje në mbarë botën që u bë e njohur me hashtagun #FridaysForFuture(Të premtet për të Ardhmen).
Që atëherë, ajo është bërë një zë i fortë për veprim mbi ndryshimin e klimës, duke frymëzuar miliona studentë të bashkohen me protestat në të gjithë botën. Në fillim të këtij viti, ajo u nominua si kandidate për çmimin Nobel për Paqen.
Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën në Nju Jork në Shtator, ajo shpërtheu ndaj politikanëve që nuk mbështetën të rinjtë për përgjigje ndaj ndryshimit të klimës. Në një fjalim tani të famshëm, ajo tha: “Ju keni vjedhur ëndrrat e mia dhe fëmijërinë time me fjalët tuaja boshe. Ne do t’ju shikojmë”.
Duke reaguar në Twitter për vlerësimin, aktivistja tha: “Wow, kjo është e pabesueshme! Unë e ndaj këtë nder të madh me të gjithë në lëvizjen #FridaysForFuture dhe aktivistët e klimës kudo.”
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.