Grumbulluesit “braktisin” fermerët – Nuk blejnë qumështin për 3 ditë, reagon Shalsi
Grumbulluesit dhe agro përpunuesit në mbështetje të prodhuesve bujqësorë, do të ndërpresin grumbullimin e qumështit për tre ditë, duke filluar nga data 18 Mars 2019.
Kjo masë e paralajmëruar më herët, vjen në mungesë të reagimit nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe të Ministrisë së Bujqësisë sa i përket rimbursimit në masën 6 për qind. Përmes një njoftimi për media, “Albanian Food Industry” bën me dije se ky veprim është një akt demonstrues kundër ngërçit të krijuar për TVSH-në e produkteve primare bujqësore, me argumentin se ndryshimet në ligj do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas duke favorizuar importet, rritur informalitetin, si dhe cenuar sigurinë ushqimore.
Ndërkaq, lidhur me këtë çështje ka reaguar Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi sipas të cilit po vlerësohen efektet që po japin ndryshimet fiskale tek fermerët dhe ministritë përgjegjëse janë në diskutime për të dhënë një zgjidhje.
Që prej janarit, grumbulluesit dhe tregtarët detyrohen që të blejnë produktet bujqësore me TVSH 6% dhe t’i shesin ato me 20 %, për shkak të ndryshimeve fiskale të bëra në fundvit, të cilat ulën masën e rimbursimit. Ndërkohë që kostoja për agro përpunimin llogaritet në 100 milionë euro në vit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.