GSK i blen aksionet Novartis – $13 mld për të marrë kontrollin e kompanisë së përbashkët
GlaxoSmithKline deklaroi se, do t`i blejë 36.5% të aksioneve Novartis në Joint Venture që dy kompaniët kanë krijuar në sektorin e kujdesit shëndetësor, për një vlerë totale prej 13 miliardë dollarësh. Javën e kaluar, GlaxoSmithKline u tërhoq nga gara për të blerë njësinë e Pfizer në sektorin e kujdesit shëndetësor konsumator. Ky operacion mund të kapte vlerën e 20 miliardë dollarëve.
Në pamundësi të kësaj lëvizje, GSK duket se ka vendosur të marrë tërësisht nën kontroll kompaninë e krijuar së bashku me Novartis në vitin 2015. Ndër produktet më të famshme të kësaj kompanie janë edhe pasta e dhëmbëve Sensodyne, tabletat Panadol për dhimbjen e kokës, xheli muskulor Voltaren, apo fashat me nikotinë për ata që duan të lënë duhanin.
Marrja nën kontroll e kësaj kompanie të përbashkët do t`i mundësojë GSK të futet plotësisht në këtë treg të ri me potencial të jashtëzakonshëm. Operacioni pritet të përmbyllet në tremujorin e dytë të vitit, për shkak të aprovimeve të ndryshme që duhet të vijnë nga autoritetet. 13 mld dollarët ndërkohë do të përdoren nga Novartis për të zgjeruar biznesin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.