Guardia di Finanza në bashkëpunim me Policinë Shqiptare ndalojnë skafin me 334 kg drogë me vlerë 4 milion euro
Strukturat e Guardia di Finanza-s, në bashkëpunim me Policinë Shqiptare kanë realizuar një operacion antidrogë të suksesshëm, në kuadër të të cilit u kapën gjithsej 334 kg drogë e llojit marijuanë, e cila përllogaritet të nxirrte rreth 4 milion euro në tregun e paligjshëm.
Sipas njoftimit të policisë njësitë e Guardia-s kanë pikasur një mjet detar, gomone, e cila ngjallte dyshime për shkak të vendndodhjes. Mjeti lundrues është shoqëruar në port dhe gjatë kontrollit, në një hapësirë të maskuar, janë zbuluar 186 pako të mbështjella, në të cilat ishte fshehur lënda narkotike.
Është arrestuar në vendngjarje skafisi shqiptar F. I., 32 vjeç dhe njëherësh janë kryer procedurat e sekuestrimit të mjetit dhe provave të tjera materiale. Mjeti lundrues ishte rreth 5 metra i gjatë, me një motor të jashtëm mjaft të fuqishëm.
Operacioni Aero-naval konfirmon efikasitetin e kontrollit detar që ushtrohet nga Guardia di Finanza për të luftuar trafiqet e paligjshme që tentojnë të hyjnë drejt BE-së, si dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm me autoritetet e Policisë së Shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.