Guardiola sfidë qeverisë spanjolle – Referendum për Katalonjën me çdo kusht
Në një manifestim gjigand në Barcelonë, ikona e futbollit Pep Guardiola ka folur para mijëra mbështetësve të pavarësisë së Katalonjës duke sfiduar edhe qeverinë spanjolle.
“Ne katalanët do të votojmë më 1 Tetor për të vendosur për të ardhmen tonë. Do të votojmë edhe nëse shteti spanjoll nuk do”, u shpreh ish- lojtari dhe ish-tekniku i Barcelonës.
Sipas tij, Katalonja është viktimë e një shteti që ka vendosur në skenë një persekutim politik të padenjë për shekullin XXI.
Shpesh i ndërprerë nga thirrjet për liri dhe pavarësi, Guardiola i bëri apel botës të mbështesë referendumin katalonas për vetëvendosje. “I kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të na ndihmojë”, tha Pep.
Ai kujtoi se ka patur 18 përpjekje për të negociuar një dakordësi për referendumin por gjithmonë përgjigja e shtetit spanjoll ka qenë kundër. Sipas Guardiolës, që është mbështetës prej kohësh, përballë këtij skandali, zgjidhja e vetme është më shumë demokraci.
Sipas organizatorëve, në tubimin në Barcelonë morën pjesë 40 mijë njerëz. Ata thanë para publikut se nuk ka mjaftueshëm vende në burgjet e Spanjës për të gjithë katalonët që duan të marrin pjesë në referendum.
Në fund, të pranishmit kënduan himnin kombëtar katalonas, Els Segadors’.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.