Guroret në Malin e Krujës, Klosi zbardh propozimin: Do të ushtrojnë aktivitetin në një pozicion tjetër. Kontrolle në shkallë vendi
Kompanitë e guroreve që ushtronin aktivitetin në zonën e Malit të Krujës, do të mund të vijojnë operimin duke u zhvendosur në një tjetër pozicion. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndërsa ka zbardhur rezultatet e kontrolleve të guroreve në këtë zonë.
Sipas Klosit, zhvendosja e tyre ka ardhur si një propozim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pas kryerjes së inspektimeve të nevojshme nga kjo e fundit. Ndërkohë, ndërsa ka deklaruar se do të nisë kontrolli në shkallë vendi, ka shtuar më tej se këto subjekte do të vijojnë aktivitetin e tyre nën monitorimin e vazhdueshëm të institucioneve shtetërore.
“Biznesi i guroreve të kuptojë që ka ardhur koha që në zbatim të legjislacionit do të nisë kontrolli i guroreve në shkallë vendi si një nga masat më të forta për mbrojtjen e mjedisit dhe peizazheve tona të mbrojtura. Po ashtu, për kompanitë të cilat ushtronin aktivitetin në zonën e Malit të Krujës, është propozuar nga ministria e Energjetikës një pozicion tjetër për të vazhduar aktivitetin pasi kuptojmë edhe nevojën që ky biznes të vazhdojë, por natyrisht edhe më tepër nën kujdesin edhe kontrollin e vazhdueshëm të institucioneve shtetërore dhe zbatimin e plotë të masave teknike për funksionimin e këtij aktiviteti.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.