Gushti me rekord turistësh – Kthehen shqiptarët e Kosovës, largohen polakët
Muaji gusht shënoi një numër rekord të vizitorëve të huaj në Shqipëri. Instituti i Statistikave raporton për afro 1.6 milionë hyrja të shtetasve të huaj, në rritje me 7% krahasuar gushtin e vitit të kaluar. Numri i përgjithshëm të vizitorëve për 8-mujorin arriti në 4.9 milionë, 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sezoni veror tregoi që sektori i turizmit po regjistron një tjetër vit pozitiv. Sipas Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 854 milionë euro për gjysmën e parë të këtij viti.
Përcaktues në rritjen e turizmit hyrës gjatë muajve korrik dhe gusht kanë qenë vizitorët nga Kosova. Për muajin gusht në vendin tonë hynë më shumë se 780 mijë shtetas kosovarë. Për gjithë 8-mujorin e parë të vitit, numri i vizitorëve nga Kosova arriti në mbi 1.8 milionë, 15% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Shtetasit e Kosovës përbëjnë rreth 37% të numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj për këtë vit. As vendosja e taksës së kalimit në Rrugën e Kombit nuk duket të ketë frenuar fluksin e vizitorëve nga Kosova.
Ndërkohë, muaji gusht solli një rënie të ndjeshme të numrit të turistëve nga Polonia. Pas një rritje të lartë vitin e kaluar, numri i vizitorëve polakë ka rënë qysh këtë vit. Për gushtin, numri i tyre ra me 20%, ndërsa për të gjithë 8-mujorin rënia ishte pak më shumë se 13%. Turizmi nga vendet e Europës Perëndimore për gushtin u rrit me ritme modeste, me përjashtim të një rritje me gati 10% të numrit të vizitorëve nga Spanja. Turizmi hyrës vazhdon të mbështetet kryesisht në hyrjet e shtetasve nga vendet fqinje. Vizitorët nga vendet kufitare përbëjnë rreth 61% të numrit total të vizitorëve të huaj për këtë vit.
Nga ana tjetër, edhe turizmi dalës i shqiptarëve po rritet. Sipas Instat, daljet jashtë vendit u rritën me 5.4% për muajin gusht. Ndërsa, për 8-mujorin, shqiptarët regjistruan gjithsej afro 3.9 milionë vizita jashtë vendit, 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.