Guterres do të takohet me Putin dhe Zelenskiy – Rusia zbulon qëllimin për të kontrolluar Ukrainën lindore dhe jugore!
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin dhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy javën e ardhshme, në përpjekje për të bërë hapat e parë drejt paqes. Me negociatat që kanë ngecur, një oficer i lartë i ushtrisë rusë deklaroi se Moska synon të marrë kontrollin e Ukrainës lindore dhe jugore, duke përfshirë edhe portet kritike në Detin e Zi.
Në këtë mënyrë, për herë të parë, Moska ka zbuluar qëllimin e saj për të kontrolluar plotësisht rajonin lindor të Donbasit dhe Ukrainën lindore, si pjesë e fazës së dytë të pushtimit. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij në Moskë dhe në Kiev, Guterres dhe stafi i tij do të diskutojnë edhe hapat që duhen marrë për të ofruar ndihmë humanitare për ukrainasit e prekur nga lufta, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Përsa i përket situatës në terren, zyrtarët ukrainas deklaruan se një tjetër varr masiv është gjetur në një fshat në afërsi të Mariupol. Madje kompania Maxar, që është kontraktor mbrojtjes amerikane ofroi disa imazhe satelitore, që tregojnë ekzistencën e një varreze të dytë, dhe me shumë mundësi masakra ka ndodhur gjatë muajit të kaluar.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi se prioriteti i tij kryesor është të shmangë luftën mes Rusisë dhe NATO-s, ndërsa shtoi se nuk beson që një embargo e Bashkimit Europian ndaj gazit rus do ta bindte presidentin Vladimir Putin t’i jepte fund luftës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.