Guvernatori Sejko: “Kërkohet vlerësim sa më i shpejtë i dëmeve të tërmetit, rritja ekonomike vazhdon pozitive”
Banka e Shqipërisë kërkon një vlerësim sa më të shpejtë të dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, për të mund të bërë projeksione lidhur me ndikimin e kësaj ngjarjeje në ekonomi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se dëmet e tërmetit do të kenë një ndikim në ecurinë afatshkurtër të ekonomisë, por në mungesë të një fature dëmesh është e vështirë të parashikohen përmasat e këtij ndikimi. Sidoqoftë, Sejko tha se, edhe në skenarët më negativë, Shqipëria do të vazhdojë të ketë rritje ekonomike pozitive për vitin e ardhshëm.
“Këshilli Mbikëqyrës thekson se dhe testimi i skenarëve ekstremë sugjeron se:
-norma e rritjes ekonomike pritet të mbetet në territor pozitiv për vitin 2020 e më tej;
-stabiliteti monetar dhe financiar i vendit mbetet i paprekur.”
Përtej ndikimit të tërmetit, Banka e Shqipërisë analizon se ecuria e ekonomisë deri tani këtë vit ka qenë në ritmet e pritshme. Sipas Sejkos, rritja modeste e çmimeve shpjegohet me presionet e ulëta inflacioniste nga jashtë, mbiçmimin e lekut, por edhe me përmirësimin e pamjaftueshëm të kërkesës së brendshme. Këshilli Mbikëqyrës ngelet i mendimit se ekonomia do të vijojë në ciklin e rimëkëmbjes, pavarësisht se pasojat e tërmetit mund ta shtyjnë kthimin e rritjes së prodhimit pranë niveleve potenciale dhe të inflacionit drejt objektivit prej 3%.
“Në terma të përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se – edhe në prani të pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor – ky kuadër projeksionesh mbetet i vlefshëm për afatin e mesëm. Megjithatë, këto pasoja janë – në shumicën e tyre – negative dhe mund të diktojnë një vonesë kohore në kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.”
Sejko nënvizoi se tregu financiar ka vazhduar të japë sinjale pozitive edhe gjatë muajit nëntor. Raporit i kredive me probleme zbriti në 9.5%, ndërsa rritja vjetore e kredisë, e zhveshur nga efektet e fshirjeve dhe kursit të këmbimit, arriti në 8%.
“Ambienti i favorshëm financiar dhe përmirësimi i kërkesës dhe ofertës për kredi kanë diktuar një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit. Në veçanti, konsolidimi i sektorit bankar dhe reduktimi i rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 9.5% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, kanë diktuar një përqasje më aktive të bankave drejt kreditimit.
E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe ai i nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 8% në muajin tetor. Kjo rritje ka shfaqur një bazë të gjerë. Ajo është ushqyer nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi ndaj biznesit jep sinjale inkurajuese për një mbështetje në rritje të nevojave për fonde të ekonomisë nga sektori bankar.”
Në mbledhjen e të mërkurës Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%. Megjithatë, në deklaratë theksohet se, pasi pasojat e tërmetit të jenë më të qarta, nuk përjashtohet një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, këtë herë Këshilli Mbikëqyrës nuk përmendi më një afat të pritshëm për të rikthyer rritjen e normave të interesit. Me sa duket, pasojat e tërmetit në ekonomi do ta shtyjnë në kohë ndryshimin e kursit të politikës monetare.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.