Hado: Reforma shpëtoi skemën e pensioneve! Intervistë me kreun e Institutit të Sigurimeve Shoqërore
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, gjatë një interviste për “SCAN Magazine”, tregon sfidat kryesore me të cilat po përballet aktualisht institucioni që drejton, si po i zgjidhin problemet që u ka lënë “peshqesh” e shkuara.
Cilët janë efektet e para të reformës në skemën e pensioneve dhe çfarë po ndodh me fermerët; sikurse tregon raportin aktual kontribuues-përfitues dhe parashikimin në të ardhmen të këtij raporti. Hado tregon dhe marrëveshjet e firmosura me shtetet ku punojnë dhe jetojnë shqiptarë, si dhe negociatat me shumë vende të tjera.
Sipas kreut të ISSH-së, nëse nuk do të ishte kryer reforma, ritmet e rritjes së deficitit të skemës ishin mjaft të larta, duke rrezikuar në periudhën afatgjatë pagimin e pensioneve.
Teksa flet për sfidat e sistemit, Hado tregon se sfida kryesore që përballet sot Instituti i Sigurimeve Shoqërore është mbulimi i të gjithë popullatës me elemente të sigurimeve shoqërore dhe, kryesisht zona rurale, por dhe zgjidhja e problemeve që lidhen me saktësimin e periudhave të punës të realizuara para vitit 1994, për shkak të humbjes së dokumentacionit, djegies së tij etj.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore?
Sfidat kryesore me të cilat përballet sot Instituti i Sigurimeve Shoqërore është mbulimi i të gjithë popullatës me elemente të sigurimeve shoqërore dhe, kryesisht zona rurale, që është edhe detyrim i ISSH-së; caktimi dhe llogaritja e saktë dhe në kohë e pensioneve, si dhe saktësimi i periudhave të sigurimit ose vjetërsisë në punë kryesisht para 1994-ës.
Problematikat më të mëdha, me të cilat ISSH po ndeshet, lidhen me saktësimin e periudhave të punës të realizuara para vitit 1994, për shkak të humbjes së dokumentacionit, djegies së tij, mosruajtjes në kushte normale, mungesës së evidentimit të saktë, gabimeve në gjeneralitete dhe natyrës së punës – gabime të kryera nga ish-shefat e kuadrit të kohës, etj. Kjo problematikë me dokumentacionin e vjetërsisë në punë përbën edhe pjesën kryesore të ankimeve, pakënaqësive dhe proceseve gjyqësore që po zhvillohen. Ndërsa, sfidat kryesore të sistemit të sigurimeve shoqërore janë të karakterit demografik, që detyrimisht të çojnë në sfida financiare dhe të qëndrueshmërisë gjithashtu financiare. Rritja e jetëgjatësisë, rënia e lindshmërisë, lëvizja e lirë e krahut të punës drejt tregjeve dhe vendeve më të zhvilluara krijojnë probleme të mëdha që lidhen me numrin e kontribuuesve dhe të pensionistëve.
Reforma e pensioneve, si po ecën dhe si ka ndikuar në të gjithë skemën e sigurimeve shoqërore?
Reforma e pensioneve, që ka filluar të zbatohet nga janari i vitit 2015, është duke performuar mirë dhe sipas parashikimeve. Reformat e pensioneve nuk e japin efektin që vitet e para, për shkak të mënyrës si funksionojnë skemat e pensionit, por duhet një periudhë e caktuar kohore për të dhënë vlerësim të saktë. Megjithatë, në këto tre-katër vite që po zbatohet ka dhënë efekte pozitive dhe brenda parashikimeve të bëra gjatë hartimit të saj.
Më konkretisht, është rritur ndërgjegjësimi i popullatës për pagimin e kontributeve dhe pjesëmarrjen në skemë; kjo për faktin e lidhjes së masës së pensionit me periudhën e sigurimit dhe kontributet e paguara. Ky ndërgjegjësim, krahas masave të tjera të ndërmarra, ka rritur ndjeshëm numrin e kontribuuesve në skemë, duke sjellë më shumë të ardhura sot, por edhe mbrojtje për kontribuuesit e sotëm në të ardhmen. Është ndaluar thellimi i deficitit të skemës, duke rritur qëndrueshmërinë financiare të skemës. Nëse nuk do të ishte kryer reforma, ritmet e rritjes së deficitit të skemës ishin mjaft të larta, duke rrezikuar në periudhën afatgjatë pagimin e pensioneve.
Pensionet janë më të merituara në kuptimin që gjithsecili merr hakun e vet, pasi masa e pensionit varet drejtpërsëdrejti nga kontributet e paguara. Thjeshtimi i formulës së llogaritjes dhe heqja e kufizimeve dhe tavaneve administrative në masën e pensionit, përveç pensionit të merituar, jep pensione me të larta për personat që kanë kontribuar ndër vite dhe me paga të larta, duke larguar barazitizmin në pensione.
Pensionet janë produkt i kontributeve të paguara ndër vite dhe financohen nga këto kontribute, ndaj barazitizmi përveçse godiste parimin e funksionimit të sistemit dekurajonte qytetarët për pjesëmarrje dhe deklarim të pagës reale. Dhënia e pensionit social për qytetarët pa asnjë të ardhur në moshën 70 vjeç, praktikisht e ka çuar në 100% mbulimin me të ardhura nga sigurimet shoqërore të të gjithë moshës së tretë, duke ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe të garantimit të një jete normale.
Sa për qind e popullsisë rezidente trajtohet aktualisht me pension dhe cila është tendenca për të ardhmen?
Numri i pensionistëve që trajtohen me pagesë çdo muaj është rreth 625 mijë. Duke qenë se pensioni është një e drejtë e fituar nga kontributet e paguara ndër vite, ai paguhet edhe kur pensionisti nuk është rezident, ndërkohë që kontributet paguhen nga personat që janë të punësuar brenda vendit, pra rezidentë. Përqindja që pensionistët zënë ndaj totalit të popullsisë rezidente është rreth 22%, çka tregon edhe sfidat e sistemit të pensioneve që përmenda më parë.
Sistemi i pensioneve shqiptare funksionon sipas parimit “Pay as you go” dhe pensionet e sotme financohen me kontributet që paguhen sot, që do të thotë që popullsia e punësuar rezidente do të paguajë kontribute për të financuar të gjithë pensionet e pensionistëve, rezidentë ose jo.
Një përqindje e lartë e pensionistëve ndaj popullsisë rezidente e bën të vështirë financimin e pensioneve dhe qëndrueshmërinë financiare të skemës. Parashikimet nuk janë optimiste, pasi sipas të dhënave të fundit të INSTAT, por edhe të prognozave të kryera, rezulton që lindshmëria po bie ndjeshëm, jetëgjatësia po rritet, çka nënkupton rrudhje të popullatës dhe rritje të përqindjes që pensionistët zënë.
Si është raporti aktual kontribuues-përfitues?
Në skemat me solidaritet ose që funksionojnë sipas parimit “Pay as you go”, siç është edhe skema jonë, raporti kontribuues-përfitues ose Norma e Varësisë së Sistemit është një tregues i rëndësishëm. Kjo normë, për sistemin tonë, është: për vitin 2017, 1.22 kontribuues për 1 pensionist, me një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme. Por nëse i hyjmë analizës së detajuar kjo shifër ndryshon. Skema e pensionit ka qenë e ndarë në skemë rurale dhe urbane dhe, megjithëse me reformën janë unifikuar në një të vetme, pensionistët e dalë më herët janë sipas kësaj ndarjeje.
Nëse do të llogarisim normën e varësisë vetëm me pensionistët e pleqërisë (duke hequr pensionet e invaliditetit dhe ato familjarë) ky tregues rezulton 1.53, ose 1.53 kontribuues për 1 pensionist pleqërie.
Nëse do ta llogarisnim veç për qytetin dhe veç për fshatin, shifrat do të jenë shumë më ndryshe. Kështu, skema urbane e ka 1.44 për totalin e pensionistëve dhe 1.87 për pensionistët e pleqërisë. Për skemën rurale këta tregues janë 0.43 dhe 0.48 respektivisht. Këto norma tregojnë që skema rurale është në një deficit shumë të madh, pasi ka një kontribuues për 2.3 pensionistë, e kundërta e skemës urbane, ku mesatarisht është 1.5 kontribuues për një pensionist.
Si paraqitet panorama e përfshirjes së fermerëve (të vetëpunësuarve në bujqësi) në skemën e sigurimeve shoqërore?
Në vijim edhe të përgjigjes së mësipërme, pjesëmarrja e fermerëve në skemë është e ulët krahasuar me popullsinë që jeton në fshat. Për të vetëpunësuarit në bujqësi, në ndryshim nga të vetëpunësuarit në qytet apo të punësuarit, kontributet e sigurimeve shoqërore janë fikse dhe subvencionohen nga buxheti i shtetit.
Kështu, nëse një i vetëpunësuar në qytet paguan kontribut shoqëror 23% të pagës minimale në shkallë vendi – që është 24 mijë lekë, ose 66240 lekë në vit – një i vetëpunësuar në zonën fushore paguan 38.400 lekë në vit dhe i vetëpunësuari në zonën malore 29.700 lekë në vit. Për llogari të sigurimeve shoqërore, nga buxheti i shtetit paguhet diferenca dhe për efekt llogaritjeje pensioni, edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi paga llogaritet e njëjtë me qytetin, pra 24.000 lekë.
Megjithëse ka këto lehtësira përsëri pjesëmarrja në skemë është e ulët. Kjo pjesëmarrje e ulët krahas ndikimit financiar që ka në të tashmen do të krijojë një problematikë në të ardhmen, pasi të gjithë ata që nuk paguajnë sot nuk do të përfitojnë pension nesër dhe do të jenë një barrë për shtetin dhe shoqërinë.
Është parashikuar ndonjë fushatë sensibilizimi a ndërgjegjësimi për të afruar fermerët si pjesëmarrës në skemën e kontributeve?
Sigurimi shoqëror për të vetëpunësuarit në bujqësi është i detyrueshëm, si për të gjithë të punësuarit apo të vetëpunësuarit, por në kushtet që jemi funksionon mbi baza vullnetare. Për këtë arsye, nga ana e ISSH vazhdimisht bëhen fushata ndërgjegjësimi për të paguar kontributet. Gjithashtu, në çdo ish-komunë, sipas ndarjes së vjetër administrative, ne kemi inspektorët tanë që në gjuhën popullore quhen inspektorët e bujkut. Ata kontaktojnë të gjithë fermerët dhe u sqarojnë nevojën, domosdoshmërinë e pagimit të kontributeve, përfitimet që kanë për pension apo barrë-lindje.
A ka probleme me kontributet e pas viteve ’90? Ku konsistojnë ato më së shumti dhe si mund të zgjidhen?
Skemat e pensionit, si në funksionim, si në administrim, varen nga ngjarje dhe faktorë që kanë ndodhur më herët dhe jashtë ndikimit të sigurimeve shoqërore, pra sigurimet shoqërore janë pasojë dhe jo shkak i ndodhive dhe faktorëve. Gjithë problematika e shoqërisë automatikisht reflektohet edhe në funksionimin e sigurimeve shoqërore; p.sh. trazirat e vitit 1997, megjithëse nuk kishin të bënin me sigurimet shoqërore, kanë ndikim shumë të madh, pasi gjatë asaj periudhe u dogjën mjaft dokumente që vërtetonin periudhat e punës apo të sigurimit.
Po kështu, problematikat që kanë shoqëruar ekonominë ndër vite, si informaliteti, mospagimi i detyrimeve, borxhet, falimentimet etj, janë shkak për vështirësitë dhe problemet që ne sot hasim.
Për të ardhur direkt tek pyetja juaj, problemet që hasim për periudhat e sigurimit pas viteve ‘90, konsistojnë në mosdeklarim të të punësuarve dhe që qytetarët e konstatojnë kur dalin në pension – deklarimi i tyre, por mospagimi i detyrimeve nga ana e subjekteve dhe, për rrjedhojë, nuk njihen si periudha sigurimi; sigurimi me paga minimale dhe mbi pagat reale që realisht janë paguar. Një problem tjetër është edhe mungesa e listë-pagesave nga subjekte të caktuara, ose muaj të veçantë. Për entet shtetërore kemi kërkuar dorëzimin e kopjeve që ata kanë dhe parashikojmë që këtë proces ta vazhdojmë dhe me kompanitë private që janë në aktivitet, por duke i kontrolluar nëse janë apo jo debitorë, i kanë paguar apo jo.
Po shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit, ç’mbrojtje u siguron ISSH?
Mbrojtja që sigurimet shoqërore realizojnë bazohet në parimin e pjesëmarrjes, duke paguar kontributin e përcaktuar me ligj dhe në faktin e të qenit i punësuar apo vetëpunësuar, ndryshe nga shërbimet sociale që ofrojnë mbrojtje mbi bazë nevoje dhe rezidence.
Në këtë këndvështrim, të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë vite sigurimi në skemën tonë dhe plotësojnë kushtet (minimumi 15 vjet dhe moshën) për pension e marrin atë, pavarësisht se ku jetojnë. Për ata qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe nuk plotësojnë kushtet, këtu përdoret instrumenti i koordinimit, që janë marrëveshjet qeveritare në fushën e mbrojtjes shoqërore. Aktualisht janë 11 marrëveshje të përfunduara dhe pjesa më e madhe e tyre kanë hyrë në fuqi, si me Gjermaninë, Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë, Hungarinë, Rumaninë etj. Ndërkohë, është në përfundim marrëveshja me Zvicrën dhe pritet të fillojnë negociatat me Malin e Zi, Holandën Francën etj. Parimet kryesore të marrëveshjeve janë trajtimi i barabartë i shtetasve, bashkimi i periudhave të kontributeve dhe eksportimi i përfitimeve.
Intervistoi: U.B./ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.